Copy
 

Të nderuar kolegë, miq e bashkëpunëtorë,

Si pasojë e emergjencës së shkaktuar nga Covid-19, prej marsit Partnerët Shqipëri ka vijuar veprimtarinë e saj tërësisht ONLINE, përfshirë aktivitete të natyrës trajnuese, këshilluese, apo kërkesa për informacion. Kjo në respekt të urdhëresave të qeverisë por edhe si masë e rëndësishme kujdesi për punonjësit e saj dhe të gjithë atyre individëve dhe institucioneve që punojnë me ne. 

Njihuni më poshtë me disa nga aktivitetet kryesore, botimet dhe të rejat më të fundit nga puna jonë gjatë periudhës mars-maj 2020.
REAGIMI I PARTNERËVE SHQIPËRI NDAJ EMERGJENCËS COVID-19

THIRRJE DREJTUAR KOMUNITETIT DONATOR

Partnerët Shqipëri paraqitën një thirrje publike drejtuar komunitetit donator, që të vazhdojnë të mbështesin sektorin jo-fitimprurës dhe të tregojnë fleksibilitet dhe adaptim në përputhje me situatën, konsideruar distancimin fizik dhe nevojën për ndryshime në strategjitë apo riorientimin e programeve në adresimin e nevojave dhe çështjeve që lidhen me situatën COVID-19. Lexoni më shumë këtu
 
VLERËSIM I NEVOJAVE TË SEKTORIT TË OJF-VE NË KUSHTET E EMERGJENCËS COVID-19

Gjatë javës së 23 marsit, Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri kryen një vlerësim të shpejtë për të parë ☑️impaktin e situatës në veprimtarinë e sektorit, ☑️nevojat lidhur me adaptimet kontraktuale me donatorët për aktivitetet në vijim, si dhe ☑️nevojat specifike lidhur me aksesin dhe aftësitë për të orientuar ofrimin e shërbimeve online. Lexoni këtu raportin e vlerësimit

PAKETË MBËSHTETËSE PËR SEKTORIN NË KUSHTET E EMERGJENCËS COVID-19

Informacioni i mbledhur nga Vlerësimi i Nevojave të Sektorit u përdor nga Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile për hartimin dhe vënien në zbatim të një pakete mbështetëse për sektorin e cila konsistoi në ofrimin e trajnimeve për njohjen dhe përdorimin e platformave të bashkëpunimit online për 76 përfaqësues të OJF-ve të interesuara, si dhe vënien në dispozicion falas të platformës ZOOM për 41 organizata në Shkodër, Fushë-Arrëz, Tropojë, Dibër, Tiranë, Durrës, Lushnje, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë, të cilat punojnë në fushën e ☑️të drejtave të njeriut, ☑️mbrojtjes së mjedisit, ☑️zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë, ☑️qeverisjes së mirë, ☑️edukimit, ☑️ofrimit të shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar, gratë dhe vajzat, fëmijët dhe të rinjtë, grupet e margjinalizuara etj. 

Vetëm brenda muajit të parë të vënies në dispozicion të platformës organizatat përfituese do të realizojnë rreth
45 trajnime, 60 takime me aktorë të ndryshëm e grupe interesi si dhe do të ofrojnë rreth 40 shërbime të tjera online si sesione informimi, seanca këshillimi etj. për grupet të cilave u shërbejnë.
DRITARE E RE ME NJOFTIME PËR COVID-19 NË FAQEN E INTERNETIT
www.partnersalbania.org


Në faqen tonë të internetit, krijuam një dritare të re etiketuar COVID-19 ku janë pasqyruar informacione mbi ☑️ masat e qeverisë dhe masat e udhëzimet që prekin OJF-të, ☑️lidhjet kryesore në faqet e internetit që raportojnë mbi pandeminë, ☑️raste inspiruese dhe novatore që po ndodhin në Shqipëri dhe në botë.
 
SKEMA FINANCIMI DHE MBËSHTETJE 

SHPALLEN FITUESIT E KONKURSIT TË BIZNESEVE TË GJELBËRTA 2020

Partnerët Shqipëri zhvilloi në datat 7-8 maj Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2020, një aktivitet që organizon prej vitit 2012 si pjesë e programit të mbështetjes për nisma biznesi të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit.

Njëzetë finalistë të përzgjedhur nga 41 konkurrentë nga organizata jofitimprurëse, sipërmarrje sociale, biznesi i vogël në vend dhe individë, prezantuan idetë e tyre gjatë dy ditëve të konkursit i cili u transmetua LIVE. Prezantimet e Konkursit i gjeni duke vizituar kanalin tonë në Youtube. Ju ftojmë të bëni Subscribe për të tjera video nga aktivitetet tona. Njihuni këtu me fituesit e Konkursit

TRAJNIM DHE ASISTENCË PËR SIPËRMARRËSIT E RINJ

Përtej seancave të informimit dhe sesioneve Pyetje/ Përgjigje online lidhur me Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta, Partnerët Shqipëri asistoi konkurrentët e interesuar me programe trajnimi dhe orientimi në fushën e ☑️Planit të biznesit dhe ☑️Marketingut e promocionit.  Kjo asistencë u sigurua pa pagesë (pro bono) nga Grant Thornton Albania
PROJEKTE NË ZBATIM
AKTIVITETE TË QENDRËS KOMBËTARE BURIMORE PËR SHOQËRINË CIVILE NË SHQIPËRI

Në kuadër të Programit për forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile zhvilloi gjatë kësaj periudhe 13 programe trajnimi rajonale lidhur me ☑️Planifikimin Strategjik, ☑️Shkrimin e Projekt-Propozimeve për Programet e BE-së, ☑️Komunikimin dhe vizibilitetin, ☑️Përdorimin e Platformave të Bashkëpunimit Online, ☑️Sipërmarrjet Sociale në Shqipëri, si dhe ☑️Crowdfunding, nga të cilat përfituan 180 përfaqësues organizatash nga mbarë vendi. U zhvilluan gjithashtu 3 leksione dhe 2 seanca këshillimi dhe mentorimi për 18 pjesëmarrësit e Akademisë së OJF-ve 2020.

Në fokus të punës së Qendrës është dhe ngritja e kapaciteteve dhe fuqizimi i rrjeteve në vend. Në kuadër të këtij programi, Qendra zhvilloi
14 seanca asistence teknike për 4 rrjete me të cilat po punon, duke adresuar nevojat e evidentuara bashkë me rrjetet kryesisht në drejtim të ☑️rritjes së vizibilitetit, ☑️fuqizimit organizativ dhe ☑️hartimit të fushatave advokuese mbi çështjet prioritare.

Në kuadër të advokimit për një mjedis mundësues për OSHC-të, Qendra zhvilloi
2 takime tematike mbi ☑️Mjedisin mundësues dhe ☑️Solidaritetin dhe vullnetarizmin, me pjesëmarrjen aktive të 24 OSHC-ve. Më shumë mbi aktivitetin dhe programet e Qendrës i gjeni duke vizituar: https://resourcecentre.al/
EMBRACE- Modele Sipërmarrjeje që Ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese është një iniciativë e zbatuar në Shqipëri, që kontribuon në ☑️avancimin e mjedisit ligjor për sipërmarrjet sociale, ☑️mbështetjen e SS-ve ekzistuese dhe të reja për të përshtatur më mirë produktet dhe shërbimet e tyre dhe për t’u pozicionuar në treg duke përdorur strukturën ekzistuese ligjore dhe institucionale. 

Prej muajit janar, Partnerët Shqipëri ka asistuar
17 OJF përmes ☑️trajnimeve dhe ☑️seancave të mentorimit mbi ngritjen dhe zhvillimin e iniciativave sipërmarrëse. PSH vijon asistencat e përfituesve të programit për zhvillimin e planeve të biznesit dhe marketingut të shërbimeve apo produkteve, si dhe ndërtimin e partneritetit me sektorin e biznesit në vend.  

Njihuni më shumë me arritjet e këtij programi përmes
broshurës promovuese.
Prej vitit 2016, Partnerët Shqipëri po zbaton projektin C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale përmes të cilit është bërë e mundur ngritja e tre sipërmarrjeve sociale në prona të konfiskuara nga krimi i organizuar në Fier, Durrës dhe Sarandë.  Partnerët Shqipëri po punon aktualisht për të asistuar Kinfolk Coffe Library, Social Crafting Garage Saranda dhe Kebuono Pasticeri Sociale për ☑️zhvillimin e planeve të biznesit, ☑️strategjive të marketingut, ☑️planeve të komunikimit e çështje të tjera që shërbejnë për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Asistencat po ofrohen nga ekspertë të Project Ahead dhe Comitato don Peppe Diana, partnerët tanë zbatues të projektit #CAUSE.
URA BASHKËPUNIMI: SHOQËRIA CIVILE DHE ADMINISTRATA PUBLIKE PËR NJË SHOQËRI CIVILE TË QENDRUESHME

Në vijim të punës së saj disa vjeçare në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të sektorit të shoqërisë civile për përfshirje në procese politikëbërëse dhe vendimarrëse në nivel vendor e qendror, Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me organizatën PDCS në Sllovaki, po zbaton një iniciativë që synon ☑️përmirësimin e klimës së bashkëpunimit midis sektorit jofitimprurës dhe atij publik, përmes ☑️identifikimit të shërbimeve që mund të ofrohen nga OShC-të për sektorin publik.

Edhe këtë vit, Partnerët Shqipëri po punon për ngritjen e kapaciteteve të një grupi organizatash 
përmes një serie ☑️trajnimesh, ☑️asistence teknike dhe ☑️programit të mentorimit. Më shumë informacion mbi iniciativën e gjeni këtu

YOUTH BANK HUB PËR BALLKANIN PERËNDIMOR & TURQINË

Prej 2016, Partnerët Shqipëri është anëtare e rrjetit Youth Bank Hub për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, së bashku me organizata nga ☑️Serbia, ☑️Maqedonia, ☑️Mali i Zi dhe ☑️Turqia. Rrjeti po punon për të përmirësuar pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, përmes ☑️mbështetjes së ngritjes së kapaciteteve të organizatave rinore, ☑️iniciativave advokuese dhe ☑️aktiviteteve ndërgjegjësuese. 

Projekti ka hyrë në një fazë të re, të titulluar
EmploYouth for WB&T. Gjatë 4 viteve të ardhshme do të vijojmë punën me ☑️fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, ☑️nxitjen e pjesëmarrjes rinore dhe ☑️kontribuimin në procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë me Bashkimin Evropian në fushën e punësimit të të rinjve. Për më tepër informacion mbi këtë projekt vizitoni: https://ybhwbt.eu/

#FILANTROPI NË KOHËN E #KARANTINËS!

Monitorimin e aktivitetit filantropik në vend vijojmë ta sjellim në këtë periudhë me Edicione Speciale!
Edhe në situatën tejet të pazakontë dhe të vështirë të krijuar nga #COVID19, solidariteti njerëzor nuk ka munguar! Krahas dhurimeve në forma të ndryshme, kjo krizë globale ka frymëzuar kreativitetin njerëzor për gjetje e zgjidhje inovatore, shembuj të të cilave i gjeni në raportet tona mujore të
☑️mars dhe ☑️prill 2020. Vizitoni linkun në faqen tonë ku do të gjeni të gjitha raportet mujore të monitorimit të këtij aktiviteti, që prej janarit 2015.
STUDIME DHE PUBLIKIME
MJEDISI MUNDËSUES PËR AKTIVITETIN FILANTROPIK NË SHQIPËRI
Ky studim synon të paraqesë një përmbledhje të situatës filantropike në Shqipëri dhe të pasqyrojë tendencat kryesore dhe praktikat më të mira nga vendet e tjera, të cilat mund të shërbejnë për një kuptim më të mirë të dinamikës nga grupet e interesit, pjesë të sektorit të organizatave filantropike.

Punimi është i strukturuar bazuar në disa nga treguesit kryesorë që përbëjnë lirinë filantropike si
☑️çështjet tatimore dhe fiskale, ☑️aktiviteti filantropik ndërkufitar, ☑️mjedisi politik në Shqipëri dhe ☑️trendet kryesore të zhvillimit të filantropisë në vend si dhe disa ☑️praktika të mira nga vendet te tjera. Lexoni studimin këtu
UDHËZUESI “ÇERDHJA DHE KOPSHTI PRANË VENDIT TË PUNËS” është një nga kontributet më të fundit të Programit RISI Albania i cili u vjen në ndihmë subjekteve private dhe pushtetit vendor për gjetjen e formave ligjore më të përshtatshme në ofrimin e shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve pranë vendeve të punës.
TË REJA
The Albanian Crowd www.thealbaniancrowd.org

Që prej 2013, Partnerët Shqipëri ofron The Albanian Crowd, një platformë interaktive online e OJF-ve shqiptare. Platforma ofron informacion të zgjeruar mbi vendndodhjen, fushat e veprimtarisë, përfituesit, shërbimet që organizatat ofrojnë dhe projektet me të cilat ato punojnë. The Albanian Crowd ofron mundësi për anëtarët që të ndajnë të rejat më të fundit mbi projektet dhe aktivitetet, të identifikojnë partnerë potencialë dhe të tërheqin vullnetarë e mbështetës. Platforma u shërben gjithashtu edhe institucioneve e individëve nga sektori shtetëror, biznesi, media, organizatat ndërkombëtare e donatore, të cilët mund të gjejnë në të informacion dinamik, partnerë dhe shërbimet e
nevojitura.
Albanian Crowd numëron
242 organizata anëtare nga i gjithë vendi, që punojnë në fusha të ndryshme. Të gjitha grupet e interesuara mund t’i bashkohen platformës duke plotësuar formularin e regjistrimit online në linkun e mëposhtëm: http://www.thealbaniancrowd.org/aplikimi/ Ftojmë organizatat tashmë anëtarë që të na dërgojnë përditësime të vazhdueshme për të publikuar në platformë.
NPTech: Sondazh mbi nevojat teknologjike të organizatave

Partnerët Shqipëri në mbështetje të iniciativës së Fondacionit Catalyst i bën thirrje të gjitha organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të pavarura që të plotësojnë një studim mbi nevojat teknologjike, pengesat dhe praktikat. Rezultatet do u prezantohen donatorëve, në mënyrë që ne t'i ndihmojmë ata të kuptojnë mënyrat në të cilat mund t'i ndihmojnë organizatat të tejkalojnë sfidat më të mëdha teknologjike në këtë kohë krize.
Ju lutemi plotësoni anketën deri të hënën,
25 maj, në këtë link https://civicatalyst.org/NPtech-AL. Nuk do të marrë më shumë se 20 minuta nga koha juaj!
Në qoftë se keni ndonjë pyetje, lirisht shkruani kolegut tonë Tomas Momçiloviç në tomas@catalystbalkans.org. Ju Faleminderit!

 

NA NDIQNI NË 
Facebook: @partnersalbania
Instagram: @PartnersAlbania
Twitter: @PartnersAlbania
Youtube: PartnersAlbania
Linkedin: Partners Albania for Change and Development



Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Rruga e Elbasanit, ndërtesa Park Gate, kati i 10-të,
Ap. 71 / 73, Tiranë
Tel: +355 4 2254881 ​
Mob: 0697889600  
partners@partnersalbania.org
 http://www.partnersalbania.org